
Villa Daka

Emri: Villa Daka
Kompania Projektuese: URBAN PLUS
Arkitektet Kryesor: Ilir Gjinolli, Arbenita Ymeri Rexhepi, Ardita Byci Jakupi
Viti i Projektimit: 2018
Villa ‘DAKAJ’ gjendet në kilometrin e tretë prej Brezovicës drejt Qendrës së Skijimit. Lokacioni është në rrëzë mali me një pjerrësi të theksuar që shquhet me pyllin në prapavijë dhe një pamje të jashtzakonshme përpara kah malet e Sharrit. Këto veçori kanë ndikuar që shtëpia të futet gati në pyll në mënyrë që të mundësojë zhvillimin e konceptit të bazuar në përjetimin e pamjeve të peizazhit kah perëndimi. Topografia e theksuar ka imponuar denivelimin duke përdorur gjysëm katet me cka shmanget lartësia e madhe e objektit. koncepti i denivelimit ka mundësuar harmoninë në mes të formës së ndërtesës dhe peizazhit-topografia dhe pyllit në prapavijë.
Koncepti brenda i shtëpisë përqendrohet te pamjet kah peizazhi nga secila pjesë e qëndrimit ditor. Në qendër të hapësirës është oxhaku prej guri i hapur nga tri anë, i cili e ndanë hapësirën në tri pjesë – dhoma e ditës, kuzhina dhe trapezaria. Nga përdhesa me shkallë arrihet në gjysëm katin e parë ku gjenden dy dhoma të fjetjes dhe banjo dhe në gjysëm katin tjetër përsëritet e njëjta përmbajtje. me këtë arrihet një kontinuitet i hapësirës duke mundësuar përjetimn hapësirën e kulmit të pjrrët. Në bodrum është garazhi, depo e skive, sauna, dhe ngrohja qendrore.
Materialet e përdorura si druri dhe guri,në eksterier dhe enterier, kanë për qëllim lidhjen me natyrën përreth. Në enterier, përjetimi i hapësirës nën kulmin prej druri është i mundur nga çdo kthinë. Po ashtu veshja e mureve me panele druri e bën hapësirën më të ngrohtë.
Nga jashtë fasada e drurit dhe gurit e krijon lidhjen ne peizazhin natyror – kreshtat dhe pyjet e e maleve të Sharrit në Brezovicë.
Intervenime minimale janë bërë në peizazhin e oborrit për të ruajtur natyralitetin e lokacionit. Te shkallët e jashtme si shkelëse janë përdorur pragje të hekurudhës të nxjerra nga përdorimi, kurse balloret janë pnuar me gurë.
Sipërfaqja: 265 m2
Katësia: B+P+1
Materialet: dru, gurë
Konstruksioni: i kombinuar (beton dhe dru i lameluar)
Kulmi: tjegulla të zeza të rrafshta
Projekti shquhet me qëndrueshmërinë e cila manifestohet me pëdorimin e materialeve natyrore – druri dhe guri në enterier dhe eksterier si dhe shkalla e lartë të eficiencës së energjisë me izolim termik 30 cm në kulm dhe 20 cm në muret e jashtme të veshura me dërrasa dhe gurë. Orientimi adekuat e rritë eficiencën po ashtu.
