
Gatsby Eat & Drink

Emri: Gatsby Eat & Drink
Kompania Projektuese: V Arkitekturë Studio
Arkitekti Kryesor: Valon Bllaca
Viti i Projektimit: 2017
Objekti është në Sheshin Shadërvan , i cili është sheshi kryesor, mbetet edhe sot si hapësira me tërheqëse publike në qytetin e Prizrenit.
Inspiruar nga “ The Great Gatsby’’ novelë e F. Scott Fitzgerald, si dhe nga gjeometria komplekse e objektit ekzistues dhe historia e gjatë e objekteve ne këtë zonë, të cilat janë bërë pikat kyçe të fokusit në projektimin e hapësirës gjatë zhvillimit të dizajnit për ‘Gatsby eat & drink’. Brendësia përfundimtare është e lehtë, minimaliste dhe jo e mbingarkuar me detaje. Në të njëjtën ka nota influence nga stili Art Deco, i cili reprezenton luksin, glamurin, ‘bollëkun’ dhe besimin në përparimin shoqëror.
Ndërtesa ku është vendosur Gatsby ka qenë subjekt i ndërhyrjeve të ndyshme, që nga ndërtimi i saj ‘famëkeq’ në vitet 70 në kohën e Federatës Jugosllave si Shtëpi e Mallrave, në objekt administrativ privat dhe më në fund rikthehet në gjenezën e saj, mu ne zemër të Prizrenit duke iu përshtatur karakterit të Çarshisë.
Historikisht Prizreni është njohur si qendër tregtare e zejtare, ka kultivuar dhe zhvilluar kulturën e kafeneve /çajtoreve/pijetoreve. Tradita e punës së dorës (tenteneve) dhe filigranit si shprehje e artit autodidakt, pa ndonjë edukim specifik, është risjellë në muralin e bassorilieveve të skulptorit Arben Bajo, me një ndërthurje shumë të mirë të plastikës dhe elementeve tradicionale për të vazhduar edukimin e shijes së mirë dhe për ta risjellë në kujtesë trashëgiminë kulturore te shoqëria apo frekuentuesit e kësaj hapësire. E vendosur në hapësirën me lartësi të dyfishtë të lokalit, i tërë kompozimi qëndron si një tablo madhështore, ku bashkërendojnë në simbiozë platiciteti i bassorilieveve në forma florale, kompleksiteti i tenteneve dhe gjelbërimi.
Ky intervenim apo interier sjell një integrim harmonik të arkitekturës, dizajnit, pikturës, skupturës, artizanatit nëpërmjet bashkëpunimit mes artistëve dhe arkitektit duke e kthyer hapësirën në një
mini -galeri arti, e cila i mungon qytetit të Prizrenit. Vetë pozita e kafenesë tashmë është si vazhdim i sheshit të Shatërvanit, i hapësirës publike,e cila fton vizitore kuriozë jo vetëm për të shijuar nje pije, por për të soditur, diskutuar dhe për tu ushqyer me art.
Në përdhesë është vendosur bari, dhe në të dy anët e tij, qarkullimi bëhet lirshëm. Përdoruesit e hapësirës orientohen lehtësisht, dhe qarkullimi vertikal është i dukshëm nga secila prej hyrjeve në përdhesë, në sajë të një paneli metali të dizajnuar dhe punuar me mjeshtëri që tërheq vëmendjen e publikut.
Secila hapësirë flet gjuhën e vet, dhe mobiljet shërbejnë për ta definuar. Hapësira rrjedh natyrshëm në të dy katet e saj, me dinamizmin dhe misterin/ etjen për të zbuluar më shumë. Balanca e teksturave, ngjyrave bën që rifiniturat të shkrihen mes tyre, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe ftues.
Ndriçuesit tavanor janë si një instalacion që qëndron pezull dhe ngjyra e errët e tavanit të krijon iluzionin e një hapësire akoma më të lartë.
Materialet e përdorura më së shumti janë mermeri, hekuri dhe druri, të vendosura në masën e duhur pa shkaktuar kakofoni estetike për syrin. Ornamentet e përdorura në përdhese, mobiljet klasike janë ngacmuese për të transmetuar karakterin e kafenesë. Murali nga artisti Kushtrim Istrefit sjell një realizim kontemporan, të frymëzuar nga vepra tradicionale për bukurinë e gruas shqiptare.
Vetratat ose hapjet e mëdha në fasada përcjellin dritën natyrale, kryejne ventilim të dyanëshëm dhe krijojnë fushëpamje të shkëlqyera drejt Lumbardhit, Kalasë dhe më tej maleve të Sharrit. Exterieri i ndërtesës është konceptuar sa më minimalist, pa ornamente, por elegant dhe i pastër, duke iu përshtatur edhe rregullave të konservimit të zonës historike të qytetit të Prizrenit.
Gatsby ka shpirt, ka jetë, e gjejnë veten krijues, artistë, lexues dhe publik i thjeshtë. Tashmë është kthyer në një vend takimi , në një pikë referimi, në një muze të hapur, zgjatim të qendrës së Shadërvanit.
Ky projekt është i rëndësishem për t’u prezantuar në Bienale sepse sjell në vëmendje një intervenim apo funksionalizim shumë të mirë të objekteve të papërdorura në qytet. Vlen për t’u theksuar që arkitekti përveç rregullimit dhe optimizimit të përdorimit të hapësirës me plot sharm dhe stil, insiston në përçimin e së bukurës, komfortit, lirisë, vendtakimit, artit dhe artizanatit tek shoqëria, në tjetërsimin e hapësirës jo vetëm për funksionin e saj primar si kafene por edhe në funksionin e transmetimit të artit te individët. Ky projekt sherben per te rritur ndergjegjesimin dhe vleresimin e shoqerise per arkitekturen , dizajnin , artin. Në thelb nuk është vetëm interieri, vetem muret, por ajo çfarë ndodh brenda asaj hapësire, energjia , perceptimi dhe përjetimi i saj.
Është një projekt që përkrah bashkëpunimin mes klientit, arkitektit dhe artistëve shqiptarë, një risi ne përmbajtje dhe shpalosje të ideve, një shembull ku i kushtohet rëndësi çdo detaji dhe adaptimit me kontekstin, dhe bëhet për arsye të forta për të tërhequr publikun në mënyrë të vazhdueshme.
