
Remember Me

Emri: Remember Me
Kompania Projektuese: AB Group
Arkitekti Kryesor: Arianit Loxha, Behar Dyla
Viti i Projektimit: 2017
Lokal (hapësirë komerciale) në qendër të Prishtinës me sipërfaqe më të vogël se 70m2. Dikur lokal për shitje të luleve (dhe dhuratave) me kërkesë të investitorit (klientit) shndërrohet në hapësirë unike për takime dhe të konsumimit të çajrave ekskluzive , çokollatave unike si dhe shijimit të verërave vendore dhe ato nga importi por jo dhe vetëm.
E veçanta e “Remember Me” është se gjysma e hapësirës së sajë do të funksionoj si hapësirë komerciale për blerje të produkteve të cilat prodhohen nga kuzhina vetanake e “Remember me” por edhe atyre të tregtuara nga jashtë.
Që nga fillimi kërkesa bazë e klientit ka qenë funksionaliteti (sidomos i kuzhinës) dhe dizajnimi i një hapësirë unike e cila do i përgjigjej karakterit të klientit dhe
veprimtarisë së saj.
Hapësira paraprake ishte banesë e adoptuar për qëllime komerciale por pa ndonjë vlerë të përgjithshme estetike. Gjatë dizajnimit (projektimit) dhe adoptimit të hapësirës është tentuar që të gjitha materialet ‘organike’ ekzistuese (në hapësirë) me vlerë të cilat dëshmojnë për kohën të ngelen dhe të përshtatën me funksionin dhe estetikën e ambientit të ri. Kjo jo pa qëllim pasi ndërthurja e të resë me të vjetrën, si trashëgimi, paraqet një kontinuitet i cili e mimikron, për nga aspekti filozofik, dhe vetë rrjedhën dialektike të jetës.
Gjatë projektimit të “Remember Me” sfida më e madhe ka qenë pikërisht artikulimi estetik i funksioneve të ndërthurura jo shumë të përputhshëm (si procesimi i ushqimit, shërbimi dhe shitje me ambalazhim). Mbi të gjitha çdo herë është e vështirë të artikulohet hapësira e cilat krijojnë identitet të ri (apo rikujtojnë ndonjë të vjetër) dhe e cila ka “shpirt”…
… arkitektura (lexo: enterieri/objektet) nuk e fisnikëron hapësirën (ambientin) por njerëzit e bëjnë këtë. Arkitektura vetëm i subordinohet këtij fenomeni shpesh të pavetëdijshëm nga ne.
Duke qenë kompani (ab GROUP) e specializuar për artikulimin e hapësirës së jashtme (exterierit) kemi konsiderua si sfidë prezantimin në Bienale një nga projektet tona të pakta të enterierit.
