
Kompleksi me tre Hotele dhe Qendra Tregtare

Emri: Kompleksi me tre Hotele dhe Qendra Tregtare
Kompania Projektuese: Proarchitecture
Arkitekti Kryesor: Arsim A. Gërxhaliu dhe Asim I. Vatovci
Viti i Projektimit: 2018
Objekti –KOMPLEKSI ME TRE HOTELE DHE QENDRA TREGTARE- është projektuar për Medine të Arabisë Saudite, brenda unazës së tretë të qytetit, përkatësisht në rrugën “Mbreti Abdul Aziz”, e cila e lidh aeroportin e qytetit me xhaminë e profetit Muhamed. Kompleksi shtrihet në një parcelë të rrafshët, me sipërfaqe prej 56 000 m2. Kompleksi është planifikuar dhe inkorporuar shumë mirë me rrjetin ekzistues të rrugëve, duke u bërë pjesë integrale e zonës, pa interferuar negativisht në komunikacionin e ngarkuar. Kjo është bërë me planifikim adekuat të rrugëve interne të kompleksit dhe mënyrave të qasjeve në rrugët publike. Hotelet kanë etazhitet B+P+20, ndërsa Qendra Tregtare ka etazhitet B+P+2, ku gjithsej kompleksi i përmban sipërfaqe ndërtimore prej 207 000 m2. Njëri hotel ka kapacitet prej gjithsej 330 dhoma standarde dhe apartmane (të tre hotelet 990 dhoma standarde dhe apartmane), ndërsa Qendra Tregtare ka kapacitet prej 151 dyqaneve, si dhe restauranteve, kafeneve dhe 6 sallave të kinemasë.
Në anën tjetër, qyteti i Medinës është njëri nga tre vendet e shenjta të muslimanëve. Aktualisht përfaqëson njërin ndër qytetet me hyrje-daljet më të mëdha të vizitorëve në botë. Rëndësia dhe shenjtëria e këtij qytetit ka nisur me ndërtimin e xhamisë së profetit Muhamed, andaj dhe boshti i zhvillimit të konceptit ka qenë marrëdhënia e objekteve me xhaminë. Mbi bazën e kësaj, ka rrjedhur dizajni urban dhe arkitektonik i këtij kompleksi, me ç’rast objektet e hotelit janë me vizura direkte nga drejtimi i xhamisë. Në këtë mënyrë, secila dhomë e hotelit është e orientuar kah Xhamia e profetit Muhamed dhe ka pamje të papenguar në drejtim të saj. Konstruksioni i objekteve të hoteleve është skeletor, prej betoni të armuar, ndërsa janë të mbështjellura me fasadë strakturale, me profila alumini dhe panele të kombinuara nga qelqi dhe panele kompakte HPL.
Qendra Tregtare, si pjesë integrale e kompleksit, është gjeneruar nga një koncept i mbështetur mbi elemente bazike. Duke e pasur parasysh rëndësinë e pastërtisë dhe ujit në jetën islame dhe në përgjithësi vendet e lindjes së nxehtë, koncepti ka filluar nga pika e ujit dhe krijimi i rrathëve, që ajo shkakton në kontakt me një sipërfaqe ujore. Në këtë mënyrë, shtrirja horizontale e Qendrës Tregtare është zhvilluar mbi këtë koncept, duke i përvetësuar edhe materialet adekuate për mbulesë. Konstruksioni i Qendrës Tregtare është skeletor, prej betonit të armuar, ndërsa është e mbështjellur me fasadë strakturale, me profila alumini dhe panele nga qelqi dhe janë propozuar panele kompakte HPL vertikale, në formë të brisoleve. Mbulesa është propozuar me panele metalike të valëzuara, që e bëjnë të pavërejtshme shtrirjen horizontale të objektit.
Në përgjithësi, Kompleksi me Tre Hotele dhe Qendër Tregtare paraqet një strukturë urb-arkitektonike mjaft kompakte, me arkitekturë bashkëkohore dhe me inkorporim shumë të mirë në kontekstin lokal.
Objekti –KOMPLEKSI ME TRE HOTELE DHE QENDRA TREGTARE- është kompleks prej 4 objektesh me gjithsej sipërfaqe prej 207 000 m2, i projektuar në qytetin e Medinës, të Arabisë Saudite. Medineja është njëri ndër tre vendet e shenjta për muslimanët dhe si e tillë, paraqet njërin ndër qytetet më të frekuentuara në botë.
Lokacioni i Kompleksit është në mes të Xhamisë së Profetit Muhamed dhe aeroportit të Medinesë, në udhëkryqin e bulevardit më të frekuentuar në qytet “Mbreti Abdul Aziz” dhe unazës së tretë të qytetit, me një qasje shumë të përshtatshme dhe vizura shumë të mira.
Industria e hotelerisë në Medine është në një zhvillim shumë të hovshëm, me ndërtime të reja të projektuara kryesisht nga arkitektë ndërkombëtar.
Në këtë konkurrencë të madhe, projekti ynë i kompleksit me Tre Hotele dhe Qendra Tregtare, zë pozitën ndër kryesoret brenda qytetit, në shërbim të një turizmi të shquar ndërkombëtar.
Gjithashtu, edhe aspekti i planifikimit urban të kompleksit si dhe dizajni urban, i peisazhit dhe atij arkitektonik, paraqet një zgjidhje unike për zonën.
