
ReGreeneration

Emri: ReGreeneration
Kompania Projektuese: Studio Forma DDM
Arkitekti Kryesor: Jeta Bejtullahu dhe Selim Bejtullahu
Viti i Projektimit: 2017/2018
Projekti “ReGreeneration – Qendra e edukimit jo-formal për fëmijë dhe të rinjtë” është planifikuar të hartohet dhe zhvillohet në fshatin Pjetërshan, në kufi të zonës kadastrale Moglicë – Pjetërshan, në Komunën e Gjakovës. Zonë kjo e karakterizuar me tokë malore (të ulët), me bimësi kryesisht të ulët dhe natyrë të zhvilluar. Parcela shtrihet në afërsi të rrugës ‘Lugu i Mirë’, në të cilën ka qasje nga ana jugore dhe perëndimore, përmes rrugës së pakategorizuar në pronësi publike.
Pozicionimi i kompleksit me sipërfaqe totale të parcelave prej 10,205m2, shtrihet në brendi të vendbanimit (pjesë e rrallë banimore, e locuar nga vendbanimi i përqëndruar në distancë prej 200-500m), në sipërfaqe të lirë, të pandërtuar dhe të zhveshur nga bimësia e lartë. Përjashtim bëjnë pjesët anësore (rrethuese të parcelave), ku fillon kodrina, me ç’rast spikatet bimësia më e lartë e tipit të shkurreve, barishteve të zonës dhe pemëve frutore të rralla. Relievi është i butë, i cili ka pamjen e një zone kodrinore me pllajë të valëzuar dhe me ramje të lehtë tereni në drejtim veri-jug.
Koncepti i zgjidhjes së këtij projekti bazohet në 3 elemente: ambienti, komuniteti i të rinjëve dhe aktivitetet rekreative. i quajtur “ReGreeneration”, ky koncept gjeneron idenë për krijimin e një qendre edukative dhe rekreative për fëmijët dhe të rinjtë e vendit tonë, për gjeneratën e re – për gjeneratën e gjelbër. Përmes programeve për edukim jo-formal dhe rekreacion, kjo gjeneratë e të rinjëve do të ketë mundësinë të njihet nga afër me aktivitete të shumta dhe punë vullnetare, duke ngritur kështu vetëdijen për mbrojtjen e ambientit, gjegjësisht mjedisit të mësimit, punës dhe lojës; të njihen me metodat e punës në hortikulturë si dhe me aktivitetet e shumta sportive e rekreative. Gjithashtu, të krijohet tradita për zhvillimin e kampeve rekreative për fëmijët e të rinjtë, të promovohet kontributi për punë vullnetare në të mirë të komunitetit dhe me ide të përbashkëta të arrijmë të vetëdijësojmë dhe përmirësojmë statusin social e kulturor të grup-moshave të reja në vendin tonë.
Gjatë projektimit rëndësi e veçantë i është kushtuar lidhjeve sa më të mira mes funksioneve në kuadër të kompleksit, i cili për nga natyra e përmbajtjeve është risi në vendin tonë. Zgjidhja arkitektonike e të 6 ndërtesave ka mbështetjen në vet karakterin dhe natyrën e qendrës (kampit), konfiguracionin e terrenit dhe formën organike të parcelave.
Duke u nisur nga funksioni i edukimit dhe rekreacionit, si çështje primare, por edhe faktorët tjerë ishte e domosdoshme të krijohet një zgjidhje, e cila do të plotësonte tërësisht kërkesat e planprogramit. Më pas, ishte në rend tendenca që të krijohet një zgjidhje inovative, si arkitektonike ashtu edhe kompozicionale, e cila do të paraqes një tërësi që do të inkorporohet në rreth. Funksionet janë të plotësuara ashtu që dimensionet e hapësirave janë të madhësive dhe proporcioneve të duhura. Hapësirat i ruajnë lidhjet e mirat mes vete dhe mund të komunikojnë mes vete pa ndonjë pengesë.
Ky kompleks do të karakterizohet me ndërtim të ulët, që shtrihet në etazhitet P+0 dhe P+1+NK. Materialet e aplikuara gjatë konceptimit dhe projektimit të arkitekturës së kompleksit janë materiale natyrore dhe tipike të zonës, të cilat e karakterizojnë veçorinë e këtij kampi rekreativ dhe janë në harmoni me aplikimet e zonës. Materialet e aplikuara janë të cilësisë së garantuar dhe të certifikuara (ISO standarde), duke tentuar të ndërtojmë kompleksin që plotëson jo vetëm kërkesat programore, por edhe ato të efiqiencës së energjisë dhe jo dëmtuese të mjedisit.
Koeficienti i shfrytëzimit të tokës:
• Sipërfaqe e ndërtuar 15.00 %
• Terene sportive dhe shtigje 23.00 %
• Sipërfaqe gjelbërimi 62.00 %
Përmbajtjet e kompleksit:
I. PJESA E NDËRTUAR
Në kuadër të projektit ReGreeneration planifikohen të ndërtohen:
1. Qendra për aktivitete edukuese [P+1+NK]
2. Pavijon për fjetje – Moduli A [P+0]
3. Pavijon për fjetje – Moduli B [P+0]
4. Pavijon për fjetje – Moduli C [P+0]
5. Recepsioni [P+0]
6. Nyjet sanitarie dhe dush kabinat për kampistë [P+0]
II. SIPËRFAQE E HAPUR PËR AKTIVITETE REKREATIVE NË NATYRË DHE SIPËRFAQE GJELBËRIMI
2.1 TERENE SPORTIVE DHE SHTIGJE
• Fushë sporti mikse (basketboll, hendboll, futboll i vogël)
• Fushë volejbolli në rërë
• Mini golf
• Shtigje për ecje dhe vrapim
2.2 AKTIVITETE REKREATIVE NË NATYRË
• Trajnim për gjuajtje me shigjeta
• Trajnim me pengesa
• Mur për ngjitje
• Hapësirë për ngritje të flamurit dhe tubim
2.3 AKTIVITETE TË LIRA NË NATYRË
• Hapësirë për kamping
• Hapësirë për zjarr dhe zgarë
• Hapësirë e lirë – hapësirë për shumëqëllime
2.4 AMFITEATËR I HAPUR
2.5 HORTIKULTURË
• Bletari
• Shtëpi të gjelbërta
• Hapësirë për mbjellje të perimeve – kopshtari
• Depo për pajisje
2.6 SIPËRFAQE GJELBËRIMI
Arsyeja pse ky projekt meriton të nominohet në këto kategori, qëndron tek rëndësia dhe roli që ka si koncept me terësinë e gjithë kompleksit, si një qendër jo vetëm për rekreacion, por gjithashtu edhe për edukim dhe trajnim të moshave të reja.
Për më tepër, vendi ynë pasqyron më së miri se si sot janë neglizhuar totalisht gjithë hapësirat rekreative, që janë në harmoni me natyrën dhe ambientin perreth. Projektimi i këtij kompleksi në një lokacion ku funksionet e tij jetojnë në simbiozë me natyrën dhe ambientin rrethues, sjellë me vete mundësinë për të zhvilluar më tej vizionin e një mjedisi të ringjallur – aktiv dhe të ndryshëm.
Duke qenë se koncepti “ReGreeneration” zhvillohet përmes tre komponentëve: Ambienti – Komuniteti i të rinjëve – Aktivitetet rekreative, në këtë mënyrë, ky koncept përshkruan mjedisin natyror, i cili jo vetëm që ruan pikëpamjet e origjinës së vendit, por gjithashtu përfshin zhvillime të kohës dhe evulon me nevojat e shoqërisë.
Këtu u synua zhvillimi i një hapësire multi-funksionale, të dedikuar për përmbajtje të reja, ngjarje, rekreacion e aktivitete të ndryshme sociale, kulturore dhe ekonomike në kuadër të vendit. Duke lejuar kështu integrimin fizik dhe funksional të saj me pëlhurën urbane për të ri-zhvilluar një hapësirë aktive në vend.
