cf7b0acb59edb32592414a803cfb1a9b

Durrësi është qyteti, i cili më shumë se çdo qytet tjetër në Shqipëri, mbart e duhet të përcjellë art. Rruga “Doktor Mavromati” të çon tek Amfiteatri i Durrësit, i cili është ndërtuar në fillim të shek. I-rë të erës sonë. Ndërtesat përgjatë kësaj rruge janë të stilit italian, por fasada dhe muret rrethues, me kalimin e kohës ishin lënë pas dore. Arkitektura e rrallë e vilave nuk nxiste më vizitorë për të shijuar atë që u ofrohej apo të bënin një fotografi për të memorizuar një kujtim. Megjithatë, e gjitha kjo ndryshoi pas projektit të artistëve të cilët duke ditur mirë rëndësinë e hapësirave publike, realizuan një ekspozitë arti me murale e afreske dhe tani, aty ka shumë për të parë! Pas kësaj, edhe vetë qytetarët e Durrësit e rikthyen vëmendjen te kjo rrugicë që ishte rrënuar nga koha. Sot, të rinjtë kalojnë enkas këtu për të shkrepur një selfie dhe kësaj tendence nuk i shpëtuam dot as unë dhe kolegu im. “Kaloj më shumë se tri herë në ditë në këtë rrugë pasi punoj këtu pranë, por kam kuptuar se nuk është kjo arsyeja e vetme! Thuajse të gjithë të rinjtë shqiptarë që u bënë pjesë e nismës për t’i rikthyer gjallërinë kësaj rruge, ndajnë kujtime shumë të bukura këtu. Veprat tona quhen murale, të realizuara në mur të njomë me akrilik rezistues ndaj kushteve klimatike. Gjatë muajit që punuam, kishte shumë kureshtje nga qytetarët që donin të dinin se çfarë do të pikturonim. Jo në pak raste, ata edhe ishin skeptikë nëse subjekti i pikturave ishte menduar mirë; pati nga ata që pyesnin mbi tematikën dhe thoshin se nuk do të donin të shihnin çdo ditë në hyrjen e shtëpisë së tyre një nudo apo imazh të frikshëm, horror. Fillimisht, ne u njohëm me banorët e lagjes dhe më pas vendosëm se çfarë të pikturonim, gjë që nuk rezultoi aspak e vështirë, sepse kaluam aq shumë orë në rrugicë sa ata filluan të na shihnin si pjesëtarë të familjes”.- tregon Ivo Moja I cili ka përfunduar studimet Master për Skulpturë Monumentale në Universitetin e Arteve të Bukura. Është një prej atyre të rinjve energjikë që nuk reshtin së frekuentuari kurse, trajnime, specializime e konferenca për të perfeksionuar artin e tyre. Sapo ka mbushur 27 vjeç, por ka organizuar dhe ka qenë pjesëmarrës i shumë ekspozitave personale dhe kolektive në pikturë e skulpturë. Ai ka ndjeshmërinë e artistit e qytetarit dhe në vazhdimësi ka qenë mbështetës i kauzave për mbrojtjen e kafshëve, të natyrës dhe fëmijëve në nevojë. Aktualisht, punon si restaurues në sektorin e qeramikës dhe gurit në Muzeun e Durrësit.

Nga Brunilda Lahe, Fotografia Armand Habazaj. /living/

0e1e31007daea4638f8ea01d225ff80b 3c26582434c1e82eca00187d9d56b7da 65b698c35b6ed823db3f9863ede0ff1d 66687981b50eff026652e7eb0e3d957e

Burimi: durreslajm.com

Leave a Reply

një ekspozitë arti në rrugicat e durrësit