vendosja e pragjeve të cilësisë (në arkitekturën kosovare)
mendimet dhe madhësia
jemi dëshmitar të kohës se nëpër çka është duke kaluar vendi i jonë dhe ne, në të gjitha sferat e domosdoshme të aktiviteteve të njeriut dhe shoqërisë.
Nevoja për një jetë më të mirë, të shëndosh, me rregull, me ardhmëri dhe të sigurtë në vendin tonë, shpesh po drejtohet me mosnjohuri, huti dhe improvizime të cilat koston e tyre si veprime të dështuara do ta tregojnë shumë shpejtë.
Ky moment i veprimeve dhe i sjelljeve të hamendshme po e rritë çmimin e vetë prej ditës në ditë.
po jetojmë një jetë shumë të shtrenjtë, dhe ne po e jetojmë vetëm një jetë.
qyteti
Për planet rregullative të qyteteve tona janë shpenzuar miliona euro për prodhimin e dokumenteve të cilat nuk kanë vlerë aplikative dhe janë aq shumë të koklavitura sa që ato mund të interpretohen vetëm nga orakujt e zyreve urbanistike të komunave.
Llojllojshmëria – ta quajmë diversiteti i këtyre planeve- është shumë i madh (edhe Darwini kishte me mbetë pa fjalë) sa të gjitha së bashku e tejkalojnë kuptimin e qytetit dhe krijojnë një lëmsh rregullash, informatash e interpretimesh që po të meren si plane rregullative për një zhvillim interKontinental ndoshta do të kishin kupëtim.
Diversiteti është cilësi pozitive nëse mbështetet në aksin e arsyes së krijimit të saj, si psh llojet biologjike, të gjitha janë lloje të krijuara në aksin e mbijetesës, dhe llojllojshmëria e tyre e pasuron jetën dhe ky aks forcohet më tutje, por diversiteti i lagjeve që nuk e mbështetë aksin e krijimit të qytetit ka krijuar diversitetin e lagjeve dhe e ka zhdukur tërësisht qytetin dhe kuptimin e tijë, dhe dokumentet e prodhuara për planet rregullative janë duke e bërë këtë.
Në çfarë qyteti dëshirojmë të jetojmë? Çka duhet ai të përmbajë? Cilat kushte duhet ti plotësoj? Çfarë e ardhme pritet nga ai? Ky vend a do të krijoj qytetarë të lumtur apo do të ushtroj dhunë dhe pakënaqësi?
Këto dokumente nuk japin përgjegje në këto pyetje. Ato janë vetëm një përmbledhje e formulave spekulative që asnjë qytetar nuk i kupton.
Ne nuk e kemi caktuar pragun e cilësisë për qytetetet tona.
banimi
Spekulimet numerike të cilat dalin nga planet rregullative me shfrytëzimin e tokës ndërtimore nëpër qytete, në lidhje me dendësi të banimit dhe lartësinë e ndërtesave pa mëdyshje janë duke e kthyer zhvillimin urbanistik në vendin tonë prapa për 150 vite.Në kohën e fillimit të zhvillimit të formës më të egër të kapitalizmit industrial, dhe të cilën formë zhvillimore historia e përkujton me dhembje dhe pasoja të mëdha.
Qyteti i Prishtinës në disa zona e tejkalon me lehtësi dendësinë e Hong Kongut dhe të Shangait, projeksionet zhvillimore të rritjes së sajë i tejkalojnë kapacitetet reale të cilat Chicago-ja si fenomen urbanistik shkollor i ka arritur në prag të shek 20.
Pamjet të cilat po i shohim çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve tona me blloqe pa largësi të mjaftueshme mes veti, pa oborr për lojë të fëmijëve që janë banor të këtyre pallateve, pa infrastrukturë të mjaftueshme energjetike dhe hidraulike, tregojnë një zhvendosje regresive në kualitetin e jetës së banorëve të sajë në krahasim me kushtet dhe cilësinë e jetës nëpër këto qytete para mbarimit të këtyre planeve.
Banimi nëpër qytetet tona po shëndërrohet në një refleks mekanik duke i thjeshtuar nevojat e jetës në qytet në nevojën më banale që banimi mundet me pasë kuptim – në atë të “strehimit”. Qytetet tona janë shëndërruar në strehimore të qytetarëve të sajë, që pos banesës nuk ofron asgjë tjetër për nevojat e jetës në qytet, si hapësira të gjelbëruara-parqet, hapësirat shoqërore si shkollat, hapësirat për rekreim dhe sport, hapësirat për lojë të fëmijëve, teatro, kinema, bulevarde, univerzitete, garazha etj. e etj.
Si do të jetoj banori i qytetit tonë? Çfarë shërbime përcjellëse do ta përcjellin jetën e tijë? Sa do të jetë banesa më e vogël e pranuar si banesë që do të plotësoj kushtet themelore të banimit? Si do të mbrohet shëndeti i banorëve? Për të gjitha këto pyetje nuk kemi përgjegje sepse:
Ne nuk e kemi caktuar pragun e cilësisë për banim të qytetarëve tanë.
Arsimi (dhe edukimi)
Iluminizmi Kosovar i cili çdo javë po e hapë nga një shkollë në ndonjë katund ose qytezë të Kosovës, me moto “një nxënës-një kompjuter”, një nxënës një internet lidhje në thelb është duke e mohuar rolin e arsimtarit dhe vlerat sociale që një vend shkollor duhet pasur për fëmijët tanë. Projektet e prodhuara rishtaz për këtë “mas”produkt për “mas”kërkesë janë të cilësisë dhe karakterit si ato të viteve 40’ të shekullit të kaluar që menjëherë pas luftës së II botërore i përgjigjej jo nevojës për arsimim (të jemi të qartë) por nevojës për “çrrënjosje” të analfabetizmit. Çrrënjosja e analfabetizmit ka dallim prej nevojës për arsim në vetëm një dimension – atë të cilësisë. E para ushtron dhunë dhe është jashtë individi (është numër statistikor) e dyta është dëshirë. Dallimi është e padiskutueshme.
Sot shkollat e reja duken si kazermat ushtarake të shek 20 ose ferma kafshësh shtëpiake që pos klasës (karrigës dhe një copë banke me kompjuter) të rinjëve nuk iu ofrohet asgjë tjetër. Prodhimi i këtyre objekteve është thjeshtuar në m²/nxënës, ndërsa nxënësit nuk e dallojnë të mirën prej të keqes. Objektet nuk e qëndrojnë as vitin e parë të shfrytëzimit të tyre në cilësinë e pritur nga shkaku i dyanshëm i cilësisë së dobët të objektit dhe vandalizmit të të rinjëve një fenomen që nuk ka lidhje me kompjuter, me internet, me ngjyrë ose klasë, por ka të bëjë me njeriun me emocionet e tjë me dashurinë dhe dhunën.
Nëse cilësia e arsimit gjendet në kompjuter (një makinë kur arsimtarët i kemi analfabet të tyre), në çka dyshoj, dhe të cilën vendi jonë e promovon si pullë kryesore e progresit në arsim dhe më gjërë, di vetëm se: çdo arsye jashtë njeriut është dhunë dhe ajo gjithmonë ka krijuar njerëz keq të edukuar / shkolluar dhe e di se dhuna nuk është ndalur, ajo ka ndërruar formë. Këtë do ta vërtetojmë në kohën që po vjen.
Çfarë qytetari do të bëhet nxënësi i jonë? Çfarë eksperti do të bëhet nxënësi i jonë? Si do ti shkollojë fëmijët e vetë nxënësi i jonë? Si do të garoj në tregun global nxënësi i jonë?
Për këto pyetje nuk kemi përgjegje sepse:
Ne nuk e kemi caktuar pragun e cilësisë për shkollën dhe nxënësin tonë.
shëndeti (higjiena dhe rekreacioni)
spitalet e mjerueshme me nivel higjienik dhe funksional janë pamjet të cilat televizionet i shfaqin gadi çdo javë opinionit publik, duke dashur të sensibilizojnë qytetarët në lidhje me gjendjen e shërbimeve shëndetësore në vendin tonë. Niveli i tyre ka arritur pikën më të “ulët “ (shperehje shumë e përdorur nga gazetaret dhe politikanët) dhe skanë krahasim as me vendet më të prapambetura të botës, dhe ne jemi pjesë e Evropës.
Komplekset spitalore shoqërore po shkatërrohen dhe njësitë e vogla të ambulancave e pseudo spitaleve private po lulëzojnë. Kushtet nëpër këto ndërtesa të cilat si madhësi nuk i plotësojnë nevojat elementare në krahasim me gjendjen e spitaleve publike, duken si parajsë. Por në realitet, të gjitha këto janë improvizime të pakompletuara dhe pa kriter që për hirë të komercializmit (kuptimi i jonë për “tregun e lirë’) na kushtojnë më shtrejtë si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga ai njerëzor (këto vende nuk e kanë zvogëluar vdekshmërinë nga lëngimet dhe lëndimet më banale që dikush mund të pësoj në jetë dhe të cilat kanë pasur pasoja të papërfillshme në sistemin e kaluar të funksionimit shëndetësor).
Nuk ka banor të Kosovës që nuk e ka përjetuar traumën e të “të qenurit një herë në jetë në mëshirë të spitaleve kosovare” , dhe ky përjetim në të gjithë ka lënë një kujtim të keq.
Qytetarët kanë shumë pak hapësira të reja ku mund të meren me sport – pa ndonjë obligim, ose ndonjë aktivitet rekreativ që medoemos është suplement i jetës së shëndosh dhe gjendet në afërsi të secilit dhe në cilëndo kohë.
Të gjitha këto janë komercializuar. Fushat e sporteve të mbyllura nëpër ballone plastike të mbaruara mbi arat ose livadhet private me garderoba që kundërmojnë në urinë e djersë dhe me ndriqim artificial -sepse konsumatorët e këtijë lloji të rekreacionit janë klasa e re e mesme Kosovare e cila ditën punon “fiton” dhe mbrëmjeve rekreohet “konsumon” sport.
Hallat e sporteve publike kryesisht përdoren për turbokoncerte, tubime partake aty këtu me ndonjë sport pseudo profesional të quajtur “premijer ligë”.
Terenet e hapura sportive nëpër oborre të pakëta të qyteteve janë kthyer në parkingje ose në deponi mbeturinash ndërtimore ku fëmijët luajnë me imagjinatën e tyre.
Qytetari i Kosovës nuk ka kujdes për shëndetin e vet. Ai nuk ka kushte si ta kultivojë shëndetin e vet. Qytetari i jonë jeton për vetëvete dhe nuk i intereson jeta dhe shëndeti i tjetrit.
Çfarë shëndeti do të ketë qytetari i ardhshëm? Si do ta ruaj shëndetin ai? Me çka do të meret në kohën e lirë? Si do ti përballoj sëmundjet? Si vdekjen?
Për këto pyetje nuk kemi përgjegje sepse:
Ne nuk e kemi caktuar pragun e cilësisë së shëndetit për qytetarët e Kosovës.
****
….kështu mund të vazhdojmë të mendojmë edhe për teatrot dhe operat e Kosovës, tregjet e Kosovës, qendrat tregëtare të saja, bibliotekat, ndërtesat administrative, ndërtesat qeveritare dhe shtëpitë e bardha, fabrikat – therrtoret dhe tjerrtoret, kishat dhe xhamitë, varrezat dhe garazhat.
a ka shtëpi të bukur, funksionale dhe të shëndoshë në kosovë? a ka ndërtesë të bukur funksionale dhe të shëndoshë në kosovë? a ka arkitekturë të bukur funksionale dhe të shëndoshë në kosovë?
a ka arkitekturë në kosovë?
****
klima e një mosbesim të ndërsjellë brenda shoqerisë nga ashpërsia e dëshirës për zhvillim dhe aspak motiv që kjo situatë të ndërrohet na bën të ndihemi shumë pak qytetarë të këtijë vendi, aq më pak atdhedashës e më së paku njeri.
mënyra se si po ia japim kuptimin jetës tonë është: e vrazhdë, e ashpër, pa ardhmëri dhe tërësisht iracionale.
arsyen duhet ta kërkojmë në pragun e cilësisë të cilin duhet ta vendosim për jetën tonë sot dhe jetën e pasardhësve tanë, nesër.
ne ende nuk e e kemi caktuar pragun e cilësisë….
harrojmë se jemi njerëz.
I M
20.04.2009
Prishtinë